Thursday, February 9, 2017

Arbitrazhi në dhjetë pyetje




1. Çfarë është arbitrazhi?


Arbitrazhi është formë alternative e zgjidhjes së kontesteve ekonomike i cili zhvillohet jashtë gjykatave. Pasi palët e referojnë rastin në arbitrazh, arbitrat e emëruar analizojnë faktet e rastit, argumentet e palëve, ligjet e aplikueshme, dhe nxjerrin vendim përfundimtar mbi mosmarrëveshjen. Ky vendim i arbitrave është i obligueshëm për të dy palët dhe i ekzekutueshëm, qoftë edhe me forcë.

 

2. Si krahasohet vendimi i arbitrazhit me vendimin e gjykatave të rregullta?

Vendimi i arbitrazhit, nëse krahasohet me vendimet e gjykatave, ka fuqi të ngjashme me vendimin e shkallës së fundit të Gjykatave të rregullta, vendim i cili nuk mund të apelohet më dhe i cili përmbarohet. Andaj, vendimi i arbitrazhit është përfundimtar dhe menjëherë i detyrueshëm për palët.
 
3. Nëse vijmë në arbitrazh, a do të kemi të bëjmë me gjykata?
 
 
Roli i gjykatave në arbitrazh është mjaft i limituar dhe i rëndësishëm. Gjykatat në të shumtën e rasteve janë në mbrojtje dhe promovim të arbitrazhit. Një shembull është detyra e Gjykatave të referojnë palët në arbitrazh dhe të refuzojnë ta pranojnë rastin kur ka marrëveshje valide të arbitrazhit për kontestin mes palëve.
Shembull tjetër është ndihma e Gjykatave kur Tribunali urdhëron masat mbrojtëse dhe njëra palë nuk e respekton ato.
 
Një funksion tjetër i gjykatave është ai i njohjes dhe përmbarimit të vendimeve të arbitrazhit, në rastet kur ka ankesë prej palës që ka humbur rastin në arbitrazhit. Në bazë të Ligjit për Arbitrazhin, gjykata nuk mund ta rishikojë dhe ta ndryshojë përmbajtjen e vendimit të arbitrazhit, por Gjykata ka autoritetin të anulojë në tërësi vendimin e arbitrazhit nëse janë prezente disa rrethana që prekin integritetin e tërë procedurës.
 
Ato rrethana janë shumë të jashtëzakonshme dhe të rralla, ku hyjnë: korrupsioni, ndikimi në procedurë, trajtimi jo i barabartë I palëve, apo mos-respektimi i marrëveshjës së palëve në lidhje me arbitrazhin.
 
4. Si zhvillohen procedurat në arbitrazh? A janë të ndryshme prej procedurave në gjykata?

 
Konsiderohet se procedurat e arbitrazhit janë superiore ndaj atyre të gjykatave, kjo pasi janë të thjeshta, lehtësisht të kuptueshme, dhe u përshtaten nevojave të bizneseve. Ato garantojnë shpejtësi, ju mundësojnë palëve që plotësisht ti zhvillojnë argumentet e tyre, dhe u japin atyre kontroll mbi tërë procesin.” Procedurat në arbitrazh përfshijnë procedurat me shkrim, padinë dhe përgjigjen në padi, dhe seancat dëgjimore. Palët kanë arbitra ekspertë dhe qendrën e arbitrazhit të cilët janë eksluzivisht të dedikuar në rastin e tyre, dhe rregullat kanë fleksibilitetin e nevojshëm për të ofruar zgjidhje të shpejtë dhe mbrojtje të interesave të palëve.
 
 
5. Si mund të vijmë në arbitrazh?
 
 
Për të përdorur arbitrazhin duhet të ekzistojë marrëveshja prej të dy palëve. Kjo marrëveshje duhet të jetë e shkruar (kontratë, e-mail) dhe duhet të tregoj se në cilin institucion do të zhvillohet arbitrazhi (Oda Ekonomike Amerikane, Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra ZAK). Qendra ZAK sygjeron që në kontratat tuaja të përdorni këtë model të klauzolës: “Çdo mosmarrëveshje, mospajtim, ose pretendim që del nga apo në lidhje me këtë kontratë, duke përfshirë shkeljen, ndërprerjen ose jo-vlefshmërinë e kontratës, palët pajtohen që ta zgjidhin përmes arbitrazhit në kuadër të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, në pajtim me rregullat e Arbitrazhit të Odës EkonomikeAmerikane në Kosovë”

 
6. Si caktohen arbitrat të cilët vendosin rastin?

 
Arbitrat të cilët vendosin rastin duhet të jenë tërësisht të pavarur nga rasti dhe nga palët në mosmarrëveshje, duhet të jenë ekspertë të fushës ku vendosin, dhe të kenë integritet të lartë profesional dhe moral. Qendra e Arbitrazhit ofron një listë të arbitrave për tu emëruar nga palët, e cila përmban disa nga ekspertët më të njohur vendor dhe ndërkombëtar në fushat përkatëse.
 
Palët mund të pajtohen për një ose tre arbitra (më shumë se tre arbitra, dhe numri qift i arbitrave nuk preferohet). Nëse është vetëm një arbitër, atëherë kërkohet marrëveshja e dy palëve për emërim, në të kundërtën arbitri emërohet nga Qendra ZAK.

Nëse janë tre arbitra, atëherë secila palë e emëron nga një arbitër, dhe arbitri i tretë emërohet me marrëveshje në mes të dy arbitrave të palëve. Për tën ofruar nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe të pavarësisë, Qendra ZAK bën konfirmimin e arbitrave të emëruar nga palët, për t’u siguruar se ata i plotësojnë kushtet e pavarësisë dhe ekspertizës.
 
7. Nëse vendimet e gjykatave të Kosovës janë vështirë të përmbarueshme jashtë Kosovës, çfarë ndodh me vendimet e arbitrazhit?

 
Një prej avantazheve më të mëdha të arbitrazhit ndaj gjykatave është përmbarimi më i lehtë. Nëse kompania juaj ka një mosmarrëveshje me një kompani gjermane, turke, kroate, ose italiane, dhe nëse dilni të fituar në arbitrazh në Qendrën ZAK, atëherë do ta keni shumë më të lehtë që atë vendim të arbitrazhit ta realizoni edhe në këto vende të huaja. Në asnjë prej këtyre vendeve, gjykata nuk mund ta ndryshoj përmbajtjen e vendimit të arbitrazhit, dhe rastet kur mund ta anulojë vendimin e arbitrazhit janë mjaft të rralla e të jashtzakonshme (shiko pyetjen 3).
 
8. Çfarë ndodh pasi të merret vendimi në arbitrazh?

 
Sipas disa llogaritjeve, në mbi 90% të rasteve palët në mënyrë vullnetare i përmbushin obligimet të cilat dalin nga vendimi i arbitrazhit. Në rastet e pakta kur pala humbëse nuk e respekton vendimin e arbitrazhit, atëherë hapi i ardhshëm është përmbarimi me force i cili në Kosovë zhvillohet përmes përmbaruesve privat dhe gjykatave.
 
9. Sa është i përhapur arbitrazhi në botën e biznesit?

 
Arbitrazhi është forma e preferuar e zgjidhjes së kontesteve për bizneset. Në bazë të një studimi prestigjioz (Universiteti i Londrës dhe PWC) 86% e kompanive shprehen se janë të kënaqura me arbitrazhin, përderisa 73% e kompanive konsiderojnë se arbitrazhi është shumë i përshtatshëm për industrinë e tyre.
 
10. Kush mund ta përdor arbitrazhin pranë Qendrës ZAK të Odës Ekonomike Amerikane?
 
Nuk është e nevojshme që të jeni anëtar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë që të përdorni shërbimet e arbitrazhit. Secila kompani e cila ka klauzolën e arbitrazhit që specifikon arbitrazhin pranë OEAK-së mund të përdor këto shërbime.
 
Si kompanitë anëtarë të OEAK-së, ashtu edhe ato që nuk janë, kanë trajtim të barabartë në arbitrazh.
 
 
 
 
 
 


 

No comments:

Post a Comment